Detaje ekskluzive nga aksioni në zyrën ngjitur me ’92-shin’, këto janë dy serbet që përfunduan në Polici
Një aksion policor është zhvilluar dje pasdite në një zyrë ngjitur me hyrjen e stacionit policor ‘Qendra’ në Prishtinë, ku dyshohet se ofroheshin shërbime të kundërligjshme mjekësore.
Ky aksion ka rezultuar me sekuestrimin e një sërë provash materiale, teksa janë shoqëruar në stacion policor edhe dy të dyshuara.
Dy të dyshuarat janë udhëheqësja e qendrës, dr.Natasha Pentiq dhe dr.Emilija Iviq.
Ndërsa shtatë persona tjerë janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve.
Me urdhër të prokurorit, Pantiq dhe Iviq janë liruar në procedurë të rregullt, dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale ‘Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore apo farmaceutike”
Çka u gjet brenda zyrës pak metra larg hyrjes së stacionit policor ‘Qendra’?
Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se gjatë bastisjes së zyrës e cila ishte kamufluar si organizatë joqeveritare, janë gjetur dhe sekuestruar një sërë provash materiale, si dokumente e ilaçe mjekësore.
Sipas informacioneve, udhëheqësja e qendrës, Natasha Pantiq, nuk ka prezantuar licencën apo certifikatën e biznesit të lëshuar nga institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, teksa e njëjta është përpjekur që ta fshehë veprimtarinë e zyrës, duke thënë se është organizatë joqeveritare që ofron shërbime mjekësore.
Dokumentet që ndodheshin brenda objektit, vulat e materialet tjera, ishin të gjitha në gjuhën serbe, përfshirë këtu edhe një numër të barnave që ishin me banderola të Serbisë. Po ashtu janë sekuestruar edhe disa pajisje mjekësore dhe teknologjike.
Në aksion kanë marrë pjesë edhe Dogana e Kosovës, Inspektrati Shëndetësor dhe ai Sanitar.
Me këtë rast, Dogana ka sekuestruar barnat që ishin me banderola të Serbisë, ndërsa barnat me banderola të Kosovës – të cilave s’u dihej prejardhja – janë sekuestruar nga Inspektorati Shëndetësor. Po ashtu, edhe Inspektorati Sanitar ka kërkuar mbylljen e kësaj qendre, e cila nuk plotëson kushtet e nevojshme për të ushtruar veprimtarinë që ushtrohej dhe nuk posedonte licencë për këtë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë sot me komunikatë të përbashkët për media me Policinë e Kosovës, ku kanë bërë të ditur se me vendim të Inspektoratit Shëndetësor objekti në fjalë është mbyllur.