Pas rreth 3 javësh, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin për incidentin me të shtëna me armë zjarri, në fund të muajit janar, në rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë. Pas një aksioni, ku u zhvillua edhe bastisje, i dyshuari është prangosur dhe tashmë ndodhet në ndalim, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson ekskluzivisht Sinjali, personi që ra në prangat e Policisë është Nuhi Bashota, 45-vjeçar.Bashota po dyshohet se më 25 janar ka gjuajtur me armë zjarri te shtëpia e viktimës (emër i njohur për redaksinë), ku dyshohet se kishte shkrepur disa herë, për motive akoma të panjohura.
Rasti ishte denoncuar atë ditë në Polici dhe njësitet përkatëse kanë gjetur gëzhojat e armës që dyshohet se u përdor nga i dyshuari, por ky i fundit arriti të shpëtojë duke ikur.Si rezultat i nisjes së hetimeve, i dyshuari u identifikua dhe Policia dje zhvilloi bastisje në shtëpinë e tij, me urdhër të prokurorit, të aprovuar nga gjyqtari i procedurës paraprake.
Pas arrestimit, i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore brenda afatit ligjor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/