Digjet makina e kryetarit të Kuvendit Komunal të Leposaviqit

author
1 minute, 18 seconds Read

Policia e Kosovës ka njoftuar se kryetarit të Kuvendit Komunal të Leposaviqit, Gorski Buriq, i është djegur vetura.

Sipas njoftimit, autoritetet e rendit thanë se dolën në vendin e ngjarjes pasi rreth orës 04:20 të 28 janarit pranuan informatën se në Leposaviq po digjej një veturë me targa RKS- Republika e Kosovës.

“Në afërsi të veturës, te motori është hasur një shishe plastike dhe një leckë e cila kundërmon në benzinë, e që dyshohet se është vendosur si ndezës për ta djegure veturën”, u tha në njoftim.

Policia shtoi se po ndërmerr të gjitha veprimet për të hetuar këtë rast që është iniciuar si “zjarrvënie”.

Ende nuk dihet motivi i këtij incidenti. Por, në të kaluarën, në komunat në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – ishin djegur apo dëmtuar vetura me targa RKS.

Serbët në veri të Kosovës për një kohë të gjatë kishin kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës që targat e makinave të lëshuara nga Serbia – që Prishtina i konsideron ilegale – të konvertohen në targa RKS- Republika e Kosovës.

Por, muajve të fundit u rrit interesimi i serbëve në Kosovë për të konvertuar targat në RKS.

Së fundi, Kosova dhe Serbia po ashtu kanë nisur të lejojnë që makinat me targat e shteteve respektive të mund të lëvizin lirshëm, pa pasur nevojë që simbolet shtetërore në targa të mbulohen me letra ngjitëse.

/GazetaSinjali/

Similar Posts