Putini pëson një tjetër “humbje të madhe”, një tjetër shtet gati për luftë – ja paralajmërimi i fundit!

author
16 minutes, 36 seconds Read

LIVE: Putini pëson një tjetër “humbje të madhe”, një tjetër shtet gati për luftë – ja paralajmërimi i fundit!
02.02.2024 – 18:44

Gjenerali rumun: Nëse Rusia sulmon, ne duhet të jemi gati për luftë

Gjenerali rumun Georgi Vlad ka deklaruar se Rumania nuk është gati për luftë, por nëse do të duhet do të marrë të gjitha masat dhe do të përgatitet në rast të një lufte të mundshme me Rusinë.

“Nëse Putini fiton në Ukrainë, objektivi kryesor do të jetë Republika e Moldavisë. Jam i bindur se politika e Putinit do të përshkallëzohet në të ardhmen e afërt”, tha gjenerali rumun.

Gjithashtu gjenerali rumun bëri thirrje gjithashtu për reforma ligjore për të lejuar Rumaninë të mbrohet kundër dronëve rusë, si edhe për trajnim bazë vullnetar ushtarak për burrat dhe gratë nën moshën 35 vjeç.

“Ne synojmë grupmoshën nga 18 deri në 35 vjeç, pavarësisht nga gjinia, kombësia, besimet fetare, të rinjtë që duan të veshin uniformë ushtarake. Le të paguajmë për këtë shërbim dhe t’i trajnojmë ata sipas parimeve bazë të luftës”, tha Vlad.

02.02.2024 – 18:43
Putin: Armët tona janë më të mira se të NATO-s

Armët moderne ruse janë superiore ndaj atyre të NATO-s, ndërsa industria ruse e mbrojtjes po rrit vëllimin e furnizimeve, theksoi Vladimir Putin.

Sipas presidentit rus, produktet e industrisë ruse të mbrojtjes janë shumë të kërkuara jashtë vendit dhe tejkalojnë në kapacitete ato të vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Nëse krahasoni armët moderne të NATO-s dhe armët e periudhës së fundit të epokës sovjetike, ne i kemi më efektive”, tha Putin.

Ai sqaroi se i referohej kryesisht teknologjisë së raketave, automjeteve të blinduara dhe të gjitha armëve të përdorura në fushën e betejës.

02.02.2024 – 18:42
Putini humb një tjetër komandant të lartë – Alexander Tatarenko raportohet se vdiq nga një sulm i raketave në Krime

Presidenti rus Vladimir Putin ka humbur një tjetër gjeneral lufte në fillim të kësaj jave.

Gjenerali Alexander Tatarenko, 63-vjeçar dyshohet se u vra nga një sulm i raketave në bazën ajrore Belbek në Krimenë e uzurpuar.

Ai ishte komandant i kësaj baze në Krime e cila u përdor për dirigjimin e sulmeve drejt Ukrainës dhe për të konsoliduar kontrollin e Rusisë në gadishullin e Detit të Zi.

Sulmi me raketa besohet se ka shkatërruar një radar rus dhe një objekt komunikimi, si dhe pajisje ushtarake në bazën pranë Sevastopolit.

Raportimet e pakonfirmuara thonë se ka pasur edhe disa ‘dëme kolaterale’ në aeroplanët luftarakë rusë.

Rusia ende nuk e ka bërë zyrtare vdekjen e Tatarenkos – por disa kanale ushtarake ruse në Telegram konfirmuan raportimet fillestare.

02.02.2024 – 18:41
Kievi thotë se Rusia po refuzon t’i riatdhesojë trupat e pajetë të ushtarëve ukrainas – çfarë po fsheh Kremlini në rastin e rrëzimit të aeroplanit?

Kremlini mohoi të premten pretendimet e Kievit se kishte injoruar kërkesat për kthimin e eshtrave të të burgosurve ukrainas të luftës që dyshohet se vdiqën në një aksident aeroplani ushtarak javën e kaluar.

“Administrata nuk [e mori kërkesën e Kievit]”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, shkruan themoscowtimes.

Zëdhënësi i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës GUR, Andriy Yusov tha të enjten se Rusia po injoronte kërkesën e Kievit për riatdhesimin e trupave.

Moska akuzon Kievin se ka përdorur një sistem raketash tokë-ajër të prodhuar nga SHBA-ja, Patriot, për të rrëzuar aeroplanin transportues ushtarak rus Il-76, i cili u rrëzua pranë kufirit me Ukrainën më 24 janar.

Rusia pretendon se 65 ushtarakë ukrainas gjatë rrugës për një shkëmbim të planifikuar të të burgosurve u vranë së bashku me nëntë anëtarë të ekuipazhit rusë dhe oficerë të policisë ushtarake.

Jusov tha se të burgosurit e luftës që Moska pretendon se kanë qenë në bordin e aeroplanit do të konsiderohen ende robër derisa të konfirmohet vdekja e tyre.

Ai shtoi se 65 ushtarakët ukrainas nuk ishin në mesin e atyre që u shkëmbyen në fillim të kësaj jave pas rrëzimit të Il-76.

Komiteti Hetues i Rusisë, i cili heton krimet e mëdha, tha të enjten se testet gjenetike të 670 pjesëve të trupave të gjetura nga vendi i aksidentit kishin konfirmuar “në mënyrë të qartë” identitetin e 65 ushtarëve.

Nuk ishte e mundur menjëherë të verifikoheshin në mënyrë të pavarur këto pretendime. Ukraina nuk e ka konfirmuar apo mohuar përfshirjen e saj në aksident.

02.02.2024 – 11:56
Viktor Orban “ul armët” kundër BE, ja kush ishte liderja që e bindi të jepte dritën jeshile

Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë dhe ngatërrestari kryesor në Bashkimin Evropian, “u dorëzua” dje, më në fund, në mënyrë që liderët e të 27 vendeve anëtare të BE-së më në fund arritën një marrëveshje për një paketë ndihme për Ukrainën në shumën prej 50 miliardë euro në një mënyrë të jashtëzakonshme. “Ne kemi nje marreveshje. Të 27 udhëheqësit ranë dakord për një paketë shtesë mbështetjeje prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën brenda buxhetit të BE-së. Kjo siguron financim të qëndrueshëm, afatgjatë dhe të parashikueshëm për Ukrainën”, shkroi presidenti i Këshillit Europian Michel në rrjetin social X. Në samitin e fundit, në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar, 26 vende mbështetën kuadrin e negociatave të propozuar nga Charles Michel, por mungoi pëlqimi i Orbanit, prandaj vendimi nuk u mor sepse kërkon konsensusin e të gjitha vendeve anëtare. Dhe për Ukrainën është “të jesh apo të mos jesh”, dhe arrin në 50 miliardë euro, nga të cilat 17 miliardë janë grante dhe 33 janë kredi.

Shantazhi i Brukselit

Përveç paketës së ndihmës për Ukrainën, propozimi i rishikimit të buxhetit parashikon 2 miliardë euro për migracionin dhe menaxhimin e kufijve, 7.6 miliardë euro për fqinjësinë dhe botën, 1.5 miliardë euro për Fondin Evropian të Mbrojtjes sipas instrumentit të ri STEP (Platformat për Strategjik teknologjitë për Evropën), 2 miliardë euro për instrumentin e fleksibilitetit, 1.5 miliardë euro për rezervën për solidaritetin dhe ndihmën emergjente. Orban bllokoi të gjithë paketën për shkak të kundërshtimit të tij ndaj ndihmës për Ukrainën. Në këmbim të pëlqimit, ai kërkoi shkrirjen e të gjitha fondeve evropiane të destinuara për Hungarinë. Përpara samitit të dhjetorit, Komisioni shkriu 10.2 miliardë euro fonde hungareze, por ka ende rreth 21 miliardë që janë ende të bllokuara. “Financial Times” njoftoi, duke cituar një dokument pune, se 26 shtete anëtare janë të gatshme, nëse Orban vazhdon në pozicionin e tij, të kërcënojnë publikisht Hungarinë me humbjen e të gjitha fondeve nga buxheti evropian, gjë që do të gjymtonte financiarisht Budapestin.

Prapaskenat

Shpejt pasoi mesazhi i Orbanit, i cili thoshte: “Brukseli ka vite që bën një luftë ideologjike kundër Hungarisë dhe vazhdimisht na shantazhon. Tani kemi një artikull për këtë. Manuali i Brukselit për shantazh është publikuar në faqet e Financial Times. Brukseli po na shantazhon sepse nëse sillemi si shtet sovran, ata do ta lidhin çështjen e Ukrainës me shtetin ligjor dhe do ta fusin Hungarinë nën bllokadën financiare perëndimore. Ky do të ishte Harmagedoni, të cilin ne nuk do ta lëmë të shkojë. Ne do të mbrojmë interesat e Hungarisë. Nuk mund të na shantazhojnë!”, tha ai.

Kryeministja italiane Giorgia Meloni duket se ka luajtur një “rol kyç” në ndërmjetësimin me kryeministrin hungarez që çoi në heqjen e vetos së Budapestit kundër një pakete të re ndihme të BE-së për Ukrainën, tha zyra e Melonit. Meloni thuhet se foli me Orban dy herë ballë për ballë para fillimit të samitit – gjatë natës dhe më herët këtë mëngjes, raporton ANSA, duke cituar burime të paidentifikuara.

Plani i Orban

Përtej shantazheve të ndërsjella të Orbanit dhe Brukselit, ky rast tregon se BE-ja shpesh herë ka problem funksionimin pikërisht për shkak të parimit të saj themelor demokratik të konsensualitetit, pra vendimmarrjes unanime. Ekspertët shpjegojnë se si Orban mund ta “shpjegonte” këtë përsëritje dramatike. “Nuk ka dyshim se Orban do t’ia paraqesë këtë publikut hungarez si suksesin e tij. Por duhet të kemi parasysh se nga 1 korriku, Hungaria merr presidencën e Bashkimit Evropian. Nëse Hungaria vazhdon të theksojë zërat disonant kundër pjesës tjetër BE-ja, atëherë ajo presidencë do të shënohet së paku me vështirësi në artikulimin e politikës së BE-së. Do të jetë koha paszgjedhore kur bëhet fjalë për Parlamentin Evropian dhe koha e konstituimit të Komisionit të ri Evropian. Mendoj se është e justifikuar të shqetësohemi për të ardhmen e Bashkimit Evropian”, tha analisti i politikës së jashtme Bozho Kovaçeviç.

02.02.2024 – 11:56
GJND-ja vendos për juridiksionin në rastin e ngritur nga Ukraina kundër Rusisë

Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara më 2 shkurt do të vendosë nëse ka juridiksion në rastin e ngritur nga Ukraina kundër Rusisë pak pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të saj pothuajse dy vjet më parë.

Rasti i ngritur nga Kievi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, akuzon Rusinë se ka shkelur Konventën e Gjenocidit të vitit 1948, duke pretenduar rrejshëm se pushtimi i 24 shkurtit të vitit 2022, u nis në mënyrë që të frenojë një gjenocid të supozuar ndaj rusishtfolësve në lindje të Ukrainës.

Në vendimin paraprak, gjykatësit e GJND-së urdhëruan Rusinë në mars të vitit 2022 që të ndalte pushtimin, por Moska e refuzoi vendimin, duke argumentuar se gjykata, që zgjidh mosmarrëveshjet ligjore të ngritura nga shtetet lidhur me pretendimet për shkelje të së drejtës ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë ligjore për të vendosur për këtë rast.

Në shtatorin e vitit të kaluar, avokatët e Rusisë i kërkuan gjykatës që ta hidhte poshtë rastin, duke përsëritur qëndrimin se GJND-ja nuk ka juridiksion.

Gjatë asaj seance dëgjimore, Ukraina tha se injorimi i vendimit të gjykatës nga Rusia përbën sulm ndaj autoritetit të GJND-së.

“Çdo raketë që Rusia gjuan ndaj qyteteve tona, e lëshon me kundërshtim me këtë gjykatë”, tha Anton Korynevych, përfaqësues i Ukrainës në këtë gjykatë.

Përderisa vendimet e GJND-së janë ligjërisht të obligueshme, gjykata nuk ka mjete që ato të zbatohen.

Në një rast të ndarë më herët gjatë kësaj jave, GJND-ja publikoi një vendim për një rast të ngritur nga Ukraina kundër Rusisë për financim të terrorizmit, rast që kishte të bënte me aktivitetet e Moskës dhe për “diskriminim racor” nga Rusia pasi Kremlini aneksoi paligjshëm Gadishullin e Krimesë më 2014.

Në vendimin e publikuar më 31 janar, gjykata tha se përderisa Moska ka shkelur traktatet kundër diskriminimit të OKB-së, duke dështuar që të mbrojë arsimin në gjuhën ukrainase në Krime, GJND-ja nuk u pajtua me pretendimin e Ukrainës se Rusia duhet ta kompensojë atë.

Gjykata po ashtu hodhi poshtë pretendimet e Ukrainës se Rusia ka diskriminuar tatarët etnikë dhe ukrainasit pas aneksimit të Krimesë.

Në përgjithësi, GJND-ja u pajtua me Ukrainën se Moska kishte shkelur dy nene të traktateve, por refuzoi të tjerat.

02.02.2024 – 11:55
Pashinian: Armenia më nuk mund të mbështetet te Rusia për mbrojtje

Armenia më nuk mund të mbështetet te Rusia si partnerja kryesore e saj e mbrojtjes dhe në aspektin ushtarak, sepse Moska e ka zhgënjyer vazhdimisht. Kështu që Jerevani duhet të mendojë për krijimin e lidhjeve të ngushta me Shtetet e Bashkuara dhe Francën, tha kryeministri armen, Nikol Pashinian.

Armenia, një ish-republikë e vogël sovjetike që gjendet në kufi me Gjeorgjinë, Azerbajxhanin, Iranin dhe Turqinë, për një kohë të gjatë është mbështetur te Rusia si një aleate e saj e fuqishëm, edhe pse Pashiniani është zemëruar me Kremlinin, duke vënë në pikëpyetje themelet e kësaj aleance.

“Ne duhet ta kuptojmë se me kë mund të mbajmë realisht raporte ushtarako-teknike dhe të mbrojtjes”, tha Pashinian për radion publike armene kur u pyet për reformën te forcat e armatosura të Armenisë.

“Më herët ky problem ishte i thjeshtë sepse nuk kishte pyetje të tilla dhe nuk kishte vështirësi në krijimin e një koncepti. Më parë, 95-97 për qind e raporteve tona të mbrojtjes ishin me Federatën Ruse. Tani kjo më nuk mund të ndodhë, edhe për arsye objektive dhe subjektive”, tha ai.

Pashinian tha se Armenia duhet të mendojë për lidhjet e sigurisë që duhet t’i ndërtojë me SHBA-në, Francën, Indinë dhe Gjeorgjinë.

Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik më 1991, Rusia është përballur me konkurrencë nga SHBA-ja për dominimin në ish-republikat sovjetike, dhe në shtetet që dikur ishin pjesë e Perandorisë Ruse.

Pashinian tha se Rusia dështoi ndaj Armenisë kur Azerbajxhani vitin e kaluar kreu një operacion të shkurtër ushtarak, duke rimarrë kontrollin e rajonit të shkëputur të Nagorno-Karabakut. Ky operacion nxiti largimin e armenëve etnikë nga ky rajon.

Rusia ka deklaruar vetë dështimet e Pashinianit për të naviguar në situatën e ndërlikuar në Kaukazin Jugor janë fajtorë për mposhtjen e luftëtarëve të armenëve etnikë në Karabak më 2023.

Azerbajxhani ka akuzuar Francën se po nxit një luftë të re duke furnizuar me armë Armeninë.

02.02.2024 – 08:58
As SHBA nuk e ka atë në arsenalin e saj, Ukraina po merr një armë që do të “ndryshojë” lojën, ja çfarë mund të bëjë

Ukraina duhet shumë shpejt të marrë raketa të reja me rreze të gjatë veprimi që do t’i mundësojnë asaj të sulmojë pozicionet ruse të vendosura larg vijës së frontit, shkruan “Daily Mail”.

Bombat e modifikuara të lëshuara nga toka të SHBA-së me diametër të vogël (GLSDB) të prodhuara nga Boeing dhe Saab, të cilat lëshohen nga toka, kanë një rreze veprimi prej 160 kilometrash dhe mund të përdoren së bashku me raketat balistike amerikane ATACMS që kanë një rreze veprimi prej 300 kilometrash.

Një zyrtar amerikan i njohur me këtë çështje tha se është e mundur që Shtetet e Bashkuara mund të kenë dërguar disa nga GLSDB-të në Ukrainë. “Politico” shkruan se GLSDB-të janë testuar prej muajsh dhe se as Amerika nuk i ka në arsenalin e saj. Amerika ka një version të lëshuar nga ajri, por jo atë të lëshuar nga toka. Njerëzit që folën për “Politico” për GLSDB-të thanë se presin që ato të jenë shumë të dobishme për Ukrainën.

“Do t’i japë asaj opsione që nuk i ka pasur më parë. Do të ndërtohet mbi arsenalin e saj me rreze të gjatë”, tha një nga burimet. GLSDB-të do të mbërrijnë në Ukrainë në një kohë kur ushtria ukrainase ka nevojë të madhe për municion. BE tha të mërkurën se do të dërgojë 500,000 njësi municionesh obusi në Ukrainë, jo milionin që kishte premtuar. Po ashtu, pritet që industria evropiane e mbrojtjes të rrisë edhe më shumë prodhimin e municioneve.

Kancelari gjerman Olaf Scholz u kërkoi anëtarëve të tjerë të BE-së që të deklarojnë qartë se çfarë lloj ndihme ushtarake do t’i dërgojnë Ukrainës.Franca, Spanja dhe Italia janë vënë nën kritika për mosndihmimin e mjaftueshëm të Ukrainës. Ndihma ushtarake për Ukrainën ka qenë një nga temat kryesore të samitit të anëtarëve të BE-së.

02.02.2024 – 08:57
G7 paralajmëron shkelësit e rregullave për blerjen e naftës ruse

Koalicioni i vendeve që kanë vënë një kufi tavan për çmimin e naftës ruse lëshoi një paralajmërim duke dhënë detaje lidhur me mënyrat sesi tregtarët e shmangin mekanizmin në fjalë dhe mënyrën sesi njerëzit mund t’i raportojnë shkeljet, thuhet në faqen e internetit të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara, vendet e tjera të G7 dhe Bashkimi Evropian njoftuan në fund të vitit 2022 vënien e çmimit tavan prej 60 dollarësh për fuçi për blerjen e naftë ruse, si reagim ndaj agresionit të Moskës mbi Kievin në shkurt të atij viti. ​

“Aktivitete të paligjshme mund të ndodhin në shumë entitete dhe sektorë të përfshirë në tregtinë e naftës ruse dhe nënprodukteve të saj”, thuhet në paralajmërimin e publikuar të premten. “Procese të dobëta dhe të pamjaftueshme të zbatimit të rregullave nga entitetet e përfshira mund të çojnë në shkelje të kufirit të caktuar për naftën ruse”.

Tetorin e kaluar, Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara filloi të vendosë sanksione ndaj cisternave që dyshoheshin se transportonin naftë të blerë mbi kufirin e çmimit të caktuar prej 60 dollarësh për fuçi. Që nga viti i kaluar janë vënë sanksione ndaj rreth 24 cisternave.

Rregullorja për naftën ruse i ndalon kompanitë perëndimore që të ofrojnë shërbime të tilla si siguracioni, transporti dhe financimet për naftën e shitur mbi kufirin e çmimit tavan.

Vënia e kufirit të çmimit të naftës ruse synon që të zvogëlojë aftësitë e Rusisë për të financuar luftën në Ukrainë duke reduktuar të ardhurat e saj nga nafta, dhe njëkohësisht të sigurojë furnizimet e duhura për tregjet globale të naftës.

Sanksionet perëndimore kanë bërë që pjesa më e madhe tregtisë së naftës ruse të zhvendoset nga klientët tradicionalë evropianë drejt Indisë dhe Kinës. Kjo ka bërë që disa kompani transporti të përdorin cisterna të vjetruara për të bërë kontrabandë, për të cilat Departamenti amerikan i Thesarit thotë se po i shkurtojnë të ardhurat ruse.

Paralajmërimi thotë se disa anëtarë të koalicionit, përfshirë BE-në, kanë prezantuar masa për të vëzhguar më nga afër shitjen e cisternave në vendet e treta dhe për të parandaluar përdorimin e tyre për transportimin e naftës ruse me çmim mbi kufirin e caktuar,.

02.02.2024 – 08:57
Rusia shënjestron infrastrukturën kritike në juglindje të Ukrainës

Forcat ajrore ukrainase kanë rrëzuar 11 nga 24 dronët që Rusia lëshoi në orët e para të 2 shkurtit, thanë autoritetet.

Sulmet kishin për shënjestër ndërtesa të infrastrukturës kritike në rajonet e Dnipropetrovskit, Hersonit Kirovaradit dhe Harkivit, tha ushtria ukrainase.

Zyrtarët rajonalë thanë se pas sulmeve, mbi 40.000 mijë persona në rajonin e Dnipropetrovskit mbetën pa energji elektrike.

Afër 100 minatorë mbetën të ngujuar përkohësisht në dy miniera për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Më pas, një numër i paspecifikuar i tyre u nxorën nga minierat, thanë autoritetet, pa dhënë më shumë detaje.

Që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit 2022, forcat e Moskës rregullisht sulmojnë caqe të ndryshme në Ukrainë me armë të ndryshme, përfshirë dronë, raketa dhe predha.

Pavarësisht të dhënave të shumta, Moska mohon se shënjestron caqet civile në Ukrainë.

Similar Posts