Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në Lipjan, ku një grua dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vjehrrës së saj.
Sinjali mëson se pasi rasti është denoncuar në Polici, viktima 70-vjeçare ka deklaruar se pas një mosmarrëveshje që ka pasur me të, e njëjta ka tentuar që ta dëbojë nga banesa.
Sherri që plasi në familjen e tyre eskaloi në dhunë psikike, ofendime e fyerje dhe për pasojë intervenoi Policia.
37-vjeçarja e dyshuar është intervistuar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë që ka ndodhur.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të prokurorit ndaj saj është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.