Emocionuese: Familja nga Kosova bashkohet me atë nga Shqipëria ku u strehuan në kohë të luftës

author
3 minutes, 36 seconds Read

25 vite më parë, Njazi dhe familja e tij të gjendur mes 32 personave në një kamion u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Kosovë për shkak të luftës. Ata u vendosën në Marikaj ku për tre muaj krijuan marrëdhënie që do të zgjasnin përjetë.

Marigona i cilësoi ditët e saj në Marikaj si “më të bukurat e jetës”. Këto kujtime u krijuan në shtëpinë mikpritëse të Hajdarit dhe Linditës, babë e bijë.

Njazi: Për atë që keni bërë ju për ne nuk gjej dot fjalë, dot shprehje. Të gjitha janë shumë të vogla por ne ju falenderojmë jashtë mase të gjithë juve, familjen dhe gjithë njerëzit tuaj që keni faleminderit edhe njëherë shumë nga ana juaj.

Lindita: Faleminderit edhe ju.

Marigona: Ndërsa unë, ajo mistrecja e vogël në kohën e luftës jam akoma e njëjta, dua t’ju falenderoj prej zemrës që nga ju, nga Marikaj, nga Shqipëria kam një aventurë tepër të bukur në jetë të cilën kënaqem kur ua tregoj fëmijëve të mi, të cilët i rris me dashurinë për Shqipërinë, për xhaxhi Darin edhe pse fëmijët akoma s’kanë qenë te xhaxhi Dari. Mezi presim të vijmë në Marikaj në pranverë. Faleminderit shumë që jeni pjesë e jetës tonë, jeni shembull shumë i mirë për ne dhe për të tjerët se si duhet të qëndrojmë afër njëri-tjetrit kur kemi nevoja të tilla. Dhashtë Zoti, mos të kemi asnjëherë nevoja të tilla por pikërisht në këto ditë feste të Pavarësisë së Kosovës deshëm edhe ne të kujtojmë kohën kur ju ishit pranë nesh. Faleminderit shumë!

As për Hajdarin nuk harrohen ata muaj të 25 viteve të shkuara. Të gjithë u lidhën kaq fort me njëri-tjetrin sa përshëndetja ishte shumë e vështirë.

Hajdar: Ato ditë nuk harrohen, as për ata që janë shumë mirënjohës, por edhe ne kemi bërë atë që ka bërë shumica e shqiptarëve. Faktikisht, datën fiks nuk e mbaj mend në fillim të muajit mars kur kanë ardhur, në mëngjes i kam takuar dhe pranuan, thanë “sot mund të rrimë të gjithë që të lahemi?”, se këta kishin ditë rrugës.

Ardit Gjebrea: Ishin 32 vetë.

Hajdar: Ishin rrugës shumë ditë, kuptohet kishin nevojë për pastrim, për…

Ardit Gjebrea: Dëgjo, më fal që të ndërpres, e di nga kuptohet zemra jote e mirë dhe e bardhë? Se po të ishte dikush tjetër nuk do të harronte 32 vetë. Ky është një detaj i vogël, por që tregon shumë për ty.

Hajdar: Dhe më thanë që “a mund të rrimë sot të gjithë, të lahemi, sa të pastrohemi”. Ju po ndenjët në këto kushte, rrini u thashë, unë ju kam hapur derën, rrini kështu siç jeni. Kështu kaluan ditët. Fillimisht edhe ne ishim pak të ndrojtur sepse kishin shumë fëmijë, Marigona ka qenë e vogël, moshatare me gocën time, ishin të vegjël, në klasë të parë mos gabohem.

Ardit Gjebrea: 7 vjeç ka qenë.

Hajdar: Shumë fëmijë, ne dy fëmijë dhe na bënin rrëmujë në shtëpi. Shumë fëmijë këta por sinqerisht ua kam thënë edhe pasi jemi takuar se unë shkoj shpesh, kemi ngelur shumë miq. Më shumë bënin zhurmë fëmijët e mi se sa 14 fëmijët e tyre. Kishin një disiplinë shumë të mirë. Dua të falenderoj jo vetëm njerëzit e mi të familjes, por edhe komshinjtë, kushërinjtë e mi që u ambientuan shumë shpejt, me sa mbaj mend na ftonin edhe nëpër dasma bashkë, pra u bëmë si një familje dhe kur erdhi dita për të ikur unë u bëra pengesë për t’i mbajtur edhe nja dy ditë më shumë. S’po na vinte mirë ne që po iknin, por kur dolën edhe komshinjtë duke i përcjellë në një ambient atje, filluan të qanin të gjithë./tvklan.al

KLIKO KETU PER VIDEO

Similar Posts