LIVE| HISTORIKE: TALAT XHAFERI BËHET KRYEMINISTRI I PARË SHQIPTAR I MAQEDONISË SË VERIUT (VIDEO)

author
30 minutes, 50 seconds Read

14:40 – Basha: Urime të përzemërta Talat Xhaferi – pa vizionin e Ali Ahmeti, kjo do të ishte e pamundur

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, e ka uruar Talat Xhaferin, për zgjedhjen e tij si kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se pa vizionin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Ali Ahmeti, kjo do të ishte e pamundur.

“Roli konstruktiv dhe përkushtimi ndaj vlerave euroatlantike i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka qenë përcaktues për anëtarësimin në NATO dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

“Maqedonia e Veriut dëshmoi sot një standard shembullor për bashkëjetesën ndëretnike dhe rolin e shqiptarëve si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Duke i uruar suksese kryeministrit Talat Xhaferi, shpreh shpresën dhe besimin që rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë pa u ndalur”, ka shkruar Basha. /Klankosova.tv

14:33 – Milloshoski: Nuk e votuam Xhaferin pasi ka shkelur disa herë rëndë punën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antoni Milloshoski, ka përmendur arsyet se pse nuk votuan pro zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

“Nuk e votuam këtë qeveri për tri arsyje, e para se është një qeveri që do të udhëhiqet nga një kryeministër që e ka shkelur disa herë punën e Kuvendit rëndë”.

“Arsyeja e dytë është sepse është një qeveri që nuk do të mund të organizojë zgjedhje demokratike, pasi që nuk ua mundëson përfaqësimin e tyre opozitës shqiptare”.

“Arsyeja e tretë është për shak se marrëveshja mes LSDM-së dhe BDI-së nuk është në interes të qytetarëve por të bizneseve të tyre”, ka thënë Milloshoski për Klan Kosovën. /Klankosova.tv

14:22 – Fjalimi i parë i Talat Xhaferit si kryeministër: Mbetem përgjegjës para qytetarëve

Talat Xhaferi ka mbajtur fjalimin e parë pas marrjes së mandatit për të shërbyer si kryeministër i një qeverie teknike në Maqedoninë e Veriut.

Ai ka thënë se mbetet përgjegjës para qytetarëve dhe atyre që kanë vendosur për të ardhmen e vendit, raporton Klan Kosova.

“Gjithsesi që në këtë paraqitje të parë nuk kam më shumë më tepër të shtoj sesa ajo që thash para deputetëve. Me krenari dhe ndërgjegje të pastër dhe përgjegjësi të plotë kam pranuar, kam përgatitur dhe kam fituar këtë besim të qytetarëve përmes përfaqësueseve të tyre në Kuvend. I mbetem koshient përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve dhe atyre që kanë vendosur ardhmërinë e këtij vendi”, është shprehur kryeministri Talat Xhaferi.

Tutje, ai u ka thënë qytetarëve që të mos brengosen për fotografinë familjare në të cilën mungojnë disa deputetë të propozuar nga opozita.

Sipas tij, gjatë shërbimit të tij, fotografia do të jetë ndryshe sepse edhe ata deputetë që munguan në fotografi i obligon ligji dhe kushtetuta që t’i shërbejnë vendit.

14:20 – Meta uron Xhaferin: Shqiptarët, si faktor shtetformues, të orientuar qartë nga BE dhe NATO

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar Talat Xhaferin për detyrën e tij të re si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

“Urimet më të përzemërta dhe shumë suksese Qeverisë së re teknike të Maqedonisë së Veriut dhe Kryeministrit të saj, Talat Xhaferi! Besimplotë se me lidershipin e tij dhe angazhimin e dëshmuar gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues, pa dallim etnik dhe politik”, ka thënë Meta.

“Qeveria e re do të hedhë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në funksion të perspektivës së integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Shqiptarët, si faktor shtetformues, të orientuar qartë nga BE dhe NATO, kanë një rol kyç për harmoninë ndëretnike, stabilitetin dhe ardhmërinë evropiane të Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Meta.

14:17 – Talat Xhaferi kryeministër i Maqedonisë së Veriut, reagon Haradinaj: Fillimvit i mbarë për shqiptarët

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar kreun e BDI-së, Ali Ahmeti për zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.

Haradinaj e ka quajtur fillimvit të mbarë për shqiptarët zgjedhjen e Xhaferit kryeministër.

“Një fillimvit i mbarë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për vet shtetin dhe mbarë rajonin”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se zgjedhja e Xhaferit kryeministër, përbën lajmin më të mirë për të ardhmen e shaiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Zgjedhja e Talat Xhaferit, si kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë Veriore përbën lajmin më të mirë për të ardhmen e shqiptarëve atje dhe për shtetin tonë fqinj”, është shprehur Haradinaj.

Duke e uruar Xhaferin për postin e kryeministrit, Haradinaj ka thënë se e ardhmj e përbashkët e dy vendeve është në BE dhe NATO.

“Mikut tim Talat Xhaferi, sikurse kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, i uroj përzemërsisht për këtë të arritur historike, duke qenë të bindur se e ardhmja jonë e përbashkët është në Bashkimin Evropian, në NATO dhe mekanizma tjerë të rëndësishëm ndërkombëtar, ka përfunduar Haradinaj.

14:15 – Memli Krasniqi: Urime Kryeministër, Talat Xhaferi!

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka uruar Talat Xhaferin për zgjedhjen e tij si kryeministër teknik i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

“Urime Kryeministër, Talat Xhaferi! Sot, në këtë ditë historike, të krenarisë dhe emocioneve të larta, i uroj mikut tim, Talat Xhaferit, emërimin si Kryeministër i Qeverisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

“Sot, i uroj të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që përpjekjet e tyre shekullore për barazi, drejtësi e faktorizim, po kulmojnë me kryeministrin e parë shqiptar në histori të këtij shteti”.

“Sot, mbi të gjitha, është dita për të përgëzuar edhe liderin e shqiptarëve në këtë shtet, heroin e luftës dhe paqes, Ali Ahmetin, i cili, me maturinë dhe vizionin e tij luajti rolin kryesor në ngritjen e shqiptarëve dhe realizimin e kësaj të arriture historike.

“Nuk kam dyshimin më të vogël se, me eksperiencën, përkushtimin dhe përgatitjen e tij, Talat Xhaferi do të jetë një Kryeministër i mirë, i drejtë dhe kredibil për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut në mandatin e tij.P unë të mbarë dhe suksese, mik. Urime të gjithëve!”, shkruan Krasniqi në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

14:00 – HISTORIKE: Talat Xhaferi bëhet kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut

Talat Xhaferi është votuar si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Ai është bërë kryeministër me 65 vota pro, tri kundër dhe asnjë abstenim nga 111 deputetë sa ishin në sallë.

Betimi i tij u bë para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut pas dorëheqjes së Qeverisë së kaluar që udhëhiqej nga Dimitar Kovaçevski.

Xhaferi do të qeverisë për 100 ditë pasi bëhet fjalë për një qeveri teknike. Ai i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e 8 majit.

BDI, partia shqiptare në koalicionin qeverisës, ka propozuar emrat e 5 ministrave dhe 3 zëvendësministrave për qeverinë teknike.

Xhaferi nga foltorja e Kuvendit: Pranoj mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë

Politikani shqiptar, Talat Xhaferi, i cili së shpejti pritet të bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, është duke e mbajtur fjalimin e tij në foltoren e Kuvendit si mandatar për formimin e Qeverisë.

Ai ka thënë se këtë mandat do ta pranojë me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë, raporton Klan Kosova.

“Pranoj mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë, me shpresë se propozimi që keni sot para vetes do të jetë përbërja që do të përmbush përgjegjësitë ndaj qytetarëve tanë. Këtë propozim e bëj me marrëveshjen e partive më të mëdha në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë mandatari Xhaferi.

Kush është Talat Xhaferit, kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut?

Pak shqiptarë e dinë se ku është fshati Forinë. Por, atë e bëri të njohur politikani Talat Xhaferi që lindi në këtë fshat të Gostivarit më 15 prill 1962.

Shkollën fillore e kreu në Çegran, për të vazhduar shkollimin e mesëm në shkollën e lartë ushtarake në Beograd.

Ai studioi në Akademinë Ushtarake për Këmbësori të Armatës Popullore të Jugosllavisë, prej nga doli si oficer dhe u caktua me detyra komanduese më 1985. Këtë punë e vazhdoi deri më 1991 kur Republika e Maqedonisë u pavarësua na Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë.

Një vit më vonë iu bashkua armatës së Maqedonisë. Por më 2001 ai la detyrën e komandantit të kazermës në Tetovë dhe iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Marrëveshja e Ohrit mbylli luftën në Maqedoni dhe amnistoi shqiptarët që ishin pjesë e UÇK-së. Pas me shumë se dy dekada, Talat Xhaferi zhveshi uniformën, të cilën e zëvendësoi me kollare.

Ai u bë pjesë e BDI-së dhe mori mandatin e deputetit. Më 2013 mori postin e ministrit të mbrojtjes. Maqedonasit, nuk e duronin dot një ish-komandant të UCK-së të vjen në krye të armatës së këtij shteti.

Pavarësisht protestave kundër emërimit të tij, u zotua se do ta dërgoj mandatin deri në fund.

“Nuk ka forcë që më largon”, tha Xhaferi, kur ishte Minitër i Mbrojtjes, më nëntë mars të vitit 2013.

Ai, hidhëroi edhe më tepër ata, kur si lider ushtrie, vizitoi lapidarin e dëshmorëve të UÇK-së. Por, emri i Xhaferit u bë edhe më i urryer, nga një pjesë e maqedonasve, më 2017, kur u nominua për kryetar të parlamentit të shtetit, në seancën konstituive të kuvendit të ri, më 27 mars.

VMRO nuk e donte atë për shef të Sobranies, dhe tash e një muaj vendi ishte në krizë.

Por, koalicioni i LSDM-së me partitë shqiptare ia doli ta zgjedh Xhaferin kryekuvendar të enjten. Ky veprim ishte dicka që nuk e gëlltitën dot një pjesë e maqedonasve.

Grupe huliganësh hynë në parlament, duke rrahur deputetët. Megjithatë, Xhaferi bëri historinë. Ai u zgjodh kryetari i parë shqiptarë i Kuvendit të Maqedonisë.

Nuk vonoi shumë ai bëri edhe një veprim tjetër historik. E drejtoi seancën paralamentare në gjuhën shqipe.

Kuvendin e Maqedonisë e drejtoi deri në fund të kësaj jave kur dha dorëheqje.

Largimi nga parlamenti, përsëri i bëri vend në histori Talat Xhaferit. Ai të dielën bëhet kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut. /Klankosova.tv

13:53 – Ali Ahmeti: Marrëveshja e Ohrit i mundësoi Talat Xhaferit të bëhet zot në shtëpinë e tij

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënë se marrëveshja paqësore e Ohrit i ka dhënë leje Talat Xhaferit që të bëhet zot në shtëpinë e tij.

Kështu ka thënë ai nga foltorja e Kuvendit, në ditën kur Talat Xhaferi pritet të bëhet kryeministër i një qeverie teknike në Maqedoninë e Veriut, raporton Klan Kosova.

“Marrëveshja paqësore e Ohrit i dha leje Talat Xhaferit të jetë zot në shtëpinë e tij. Fituan turqit, romët, vllehët, serbët, të gjithë fituan me marrëveshjen paqësore të Orhit dhe kjo marrëveshje neve na ka bërë zot në shtëpinë tonë dhe ju duhet të jeni krenar sepse për këto 22 vite bashkë kemi punuar”, është shprehur Ahmeti.

Ali kështu u është kundërpërgjigjur politikanëve maqedonas Milloshovski dhe Trajanov të cilët u shprehen të pakënaqur ndaj qeverisjes së Xhaferit.

12:42 – 100 ditë qeverisje, Xhaferi: Do t’i mbajmë lidhjet me BE-në, NATO-n dhe ShBA-në

Talat Xhaferi, kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut, ka paraqitur para deputetëve sot në Kuvend, politikat që do t’i ndjekë për këto 100 ditë sa do të jetë në krye të ekzekutivit.

Ai ka thënë se sundimi i të drejtës, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet politika qendrore dhe strategjike të qeverisë së tij. Pos kësaj Xhaferi ka theksuar se

“Puna e qeverisë do të zbatohet në këto parime: respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjeve të Maqedonisë së Veriut, përgatitja dhe zbatimi i suksesshëm i zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe presidenciale, të lira dhe konkurruese në përputhje me standardet më të larta të Bashkimit Evropian”.

“Mbajtjen e shkallës së lartë të dialogut, transparencës dhe llogaridhënies. Mbajtja e avancimit të lidhjeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, aleancën e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe zbatimin e plotë të parimeve dhe vendimeve të marrëveshjeve të rëndësishme për marrëdhëniet ndëretnike, kohezionin dhe stabilitetin e brendshëm dhe integrimin, e suksesshëm euroatlantik”, ka thënë Xhaferi. /Klankosova.tv

12:28 – Xhaferi nga foltorja e Kuvendit: Pranoj mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë

Politikani shqiptar, Talat Xhaferi, i cili së shpejti pritet të bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, është duke e mbajtur fjalimin e tij në foltoren e Kuvendit si mandatar për formimin e Qeverisë.

Ai ka thënë se këtë mandat do ta pranojë me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë, raporton Klan Kosova.

“Pranoj mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë, me shpresë se propozimi që keni sot para vetes do të jetë përbërja që do të përmbush përgjegjësitë ndaj qytetarëve tanë. Këtë propozim e bëj me marrëveshjen e partive më të mëdha në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë mandatari Xhaferi.

“Edhe pse mund të quhet qeveri kalimtare që prioritet do ta ketë mbajtjen e zgjedhjeve, për mua si mandatar i kësaj qeverie nuk ka dallim nëse është fjala për 1 ose 100 ditë. Unë ketë detyrë dhe përgjegjësi të rëndësishme e kuptoj dhe do i qasem ashtu siç kam vepruar në çdo etapë të jetës sime politike dhe profesionale”, ka shtuar ai.

Ai i ka siguruar të gjithë qytetarët që në asnjë qast nuk do të lejojë që të devijohet roli i institutit profesional.

“Duke e marrë parasysh se kjo qeveri është propozim pas negociatave të partive politike, unë dhe qeveria obligohemi të vazhdojmë me zbatimin e plotë edhe të politikave të pranuara”, është shprehur Talat Xhaferi.

12:31 – Familja e Xhaferit e ndjekë përmes Klan Kosovës fjalimin e tij

Gruaja, vëllau, djali dhe vajza e Talat Xhaferit bashkë me fëmijë janë duke e ndjekur fjalimin e Talat Xhaferit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Ata fjalimin e tij janë duke e ndjekur përmes Klan Kosovës.

Me më shumë se një orë vonesë ka nisur seanca për emërimin e Talat Xhaferit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Në seancë të pranishëm janë parë deputetët të pozitës, por edhe në numër i madh i atyre të opozitës.

Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar, ai do të ketë mandat për 100 ditë, pasi është një qeveri teknike që do të udhëheq.

12:16 – Nis seanca e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për betimin e Talat Xhaferit si kryeministër

Me më shumë se një orë vonesë ka nisur seanca për emërimin e Talat Xhaferit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Në seancë të pranishëm janë parë deputetët të pozitës, por edhe në numër i madh i atyre të opozitës.

Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar, ai do të ketë mandat për 100 ditë, pasi është një qeveri teknike që do të udhëheq. /Klankosova.tv

12:12 – Ja si është situata e sigurisë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për momentin (VIDEO)

Në Maqedoninë e Veriut sot pritet të betohet Talat Xhaferi si kryeministër në sallën e Kuvendit.

Për këtë ceremoni është menduar edhe për aspektin e sigurisë, aty janë parë forca të policisë që janë duke e mbajtur rendin e ditës.

Aty pritet të shkojë gjithçka mirë dhe pa asnjë problem të mundshëm. /Klankosova.tv

11:33 – Talat Xhaferi lartëson Ali Ahmetin: Sot jemi dëshmitarë të edhe një dite historike

Kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka thënë se nuk ekzistojnë fjalë mjaftueshëm të fuqishme që e përshkruajnë kontributin dhe vizionarizmin Ali Ahmetit në ndërtimin e historisë bashkëkohore të Maqedonisë së Veriut.

Në llogarinë e tij në Facebook, Xhaferi ka shkruar se sot jemi dëshmitarë të edhe një ditë historike për shqiptarët, raporton Klan Kosova.

“Njeriu mbahet mend për veprat që i lë në trashëgimi për gjeneratat e ardhshme dhe rrugët që i trason në histori. Nuk ekzistojnë fjalë mjaftueshëm të fuqishme që e përshkruajnë kontributin dhe vizionarizmin Ali Ahmeti në ndërtimin e historisë bashkëkohore të shtetit tonë. Sot jemi dëshmitarë të edhe një dite historike për ne!”, ka shkruar ai.

Banorët e Forinës e konsiderojnë Talat Xhaferin si idhull (VIDEO)

Banorët e fshatit Forinë të Gostivarit e konsiderojnë politikanin shqiptar Talat Xhaverin si idhull të tyre.

Në ditën kur Talat Xhaferi pritet të emërohet kryeministër i një qeverie teknike në Maqedoninë e Veriut, gazetari Flamur Gajtani ka intervistuar bashkëfshatarët e politikanit.

Banorët e Forinës e konsiderojnë këtë ngjarje si historike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë.

11:18 – Osmani për emërimin e Xhaferit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut: Po shkruhet historia

Ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka reaguar për emërimin e sotëm të Talat Xhaferit si kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, është shprehur për këtë ngjarje.

“Drejtpërdrejtë deri sa po shkruhet historia”, kanë qenë fjalët që i ka thënë Osmani për këtë ngjarje./Klankosova.tv

11:17 – Ditë historike për shqiptarët, shfaqet një video e Ali Ahmetit duke kënduar (VIDEO)

Në ditën kur pritet që politikani shqiptar, Talat Xhaferi, të bëhet kryeministër i qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut, është publikuar një video ku shihet e dëgjohet politikani Ali Ahmeti duke kënduar.

11:05 – Pas arritjes së Xhaferit në kuvend, lejohen të hyjnë mediat, gjithçka është gati

Me ardhjen e Talat Xhaferit, në kuvend janë lejuar të hyjnë në sallë edhe mediat.Vendi është bërë gati në tavolinat e kuvendit ku do të votojnë, ka dokumente në to, ndërsa në ulëset kryesore janë vendosur edhe lule.

E gjithë kjo u bë në kuadër të organizimit dhe përgatitjeve që janë bërë për seancën solmne ku do të votohet qeveria e re, bën të ditur gazetarja Qëndresa Tërshani në një lidhje direkte të Klan Kosovës.

Gazetari nga Klan Maçedonia, Mefail Ismaili i cili ka përcjellur punën e Xhaferit derisa ai ishte kryekuvendar tha se pas proderurave fillimisht do të sigurohen më shumë se 61 deputet, që duhet dëshmuar që ka shumicën për tu zgjedhur kryeministri.

Ai për Klan Kosovën tha se pastaj duhet që mandatari e në këtë rast Xhaferi duhet ta prezantoj programin e tij të punës si kryeministër por edhe të ministrave që ai ka propozuar.

Ismaili tutje tha se pas kësaj duhet të mbahen fjalime përfaqësusese të partive politike, ndërsa theksoi se beson se do të ketë përfaqësues të politikës maqedonse.

“Opozita shqiptare nuk merr pjesë në këtë seancë, kanë bojkotuar me arsyetimin sepse nuk ju jepet një anëtar në komisionin shtetëror të zgjedhjeve”, u shpreh ai mes tjerash.

“Pasi të flasin të gjithë përfaqësuesit e partive politike kuvendore, do të hidhet në votim kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat”.

Gazetari tutje tha se zakonisht vohohet fillimi i seancës, kjo për shkak se shumica e deputetëve nuk jetojnë në Shkup, e udhëtojnë nga qytetet e tyre.

Për ish-komandantin e UÇK-së i cili pritet të betohet si kryeminister, Ismaili tha se nuk mund të thuhet se është vonuar gjatë kohës kur ishte kryekuvendar.

“Ishte ushtar, e mban disiplinën ushtarake. Ai ka ditur të jetë më i prerë në përgjigje për media, por jo i pakapshëm”.

10: 46 – Xhaferi: Shqiptarët e dëshmuan që munden të menaxhojnë institucionet

Kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka folur për mundësinë e vazhdimit të emërimit të shqiptarëve në pozita drejtuese.

Ai ka thënë se shqiptarët çdo herë e kanë dëshmuar se munden të menaxhojnë me pozita kyçe.

“Jemi pjesë përbërëse e kësaj historie e këtij shteti. E kemi verifikuar që mundemi që nga shqiptarët ka kuadro të denjë institucionalisht, që munden të menaxhojnë institucionet”.

“Ka potencial e ka kapacitet që në mënyrë të barabartë të jepet shansi dhe mundësia”, ka thënë Xhaferi. /Klankosova.tv

10:38 – Talat Xhaferi ka arritur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për t’u emëruar kryeministër

Talat Xhaferi ka arritur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për të marrë pozitën e kryeministrit.

Seanca në fjalë për emërimin e tij pritet të fillojë nga ora 11:00.

Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ai do të ketë mandat 100 ditësh pasi është qeveri teknike./Klankosova.tv

10:38 – Xhaferi: Jam tolerant, por i zbatoj vendimet – kështu më njohin dhe më kanë pranuar (VIDEO)

Politikani shqiptar Talat Xhaferi, ka thënë se ka tolerancë deri në maksimun, por kur të shteren të gjitha mundësitë, atëherë shndërrohet në zbatues të vendimeve pa marrë parasysh pasojat.

Në një intervistë ekskluzive me gazetarin Adriatik Kelmendi në Klan Kosova, ai ka thënë se për të tillë e njeh publiku dhe si të tillë e kanë pranuar.

“Kam durim t’i dëgjoj të gjitha aspektet e bisedës, kam tolerancë deri në maksimum, por në momente të caktuara kur më shteret toleranca, atëherë shndërrohem në zbatues vendimi dhe pa marrë parasysh pasojat që mund të jenë, e zbatoj deri në fund për faktin që janë shterur të gjitha opsionet. Publiku për të tillë më njeh dhe më ka pranuar”, është shprehur Talat Xhaferi i cili pritet të bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

10:24 – Emërimet e Talat Xhaferit në pozita ndodhën në datat 28, detaje jep historiani Selim Hyzeraj

Historiani Selim Hyzeraj ka thënë se zgjedhja e Talat Xhaferi si kryeministër i Maqedonisë së Veriut shënon një fitore të madhe për të gjithë shqiptarët atje.

Ai për Klan Kosova ka theksuar se në ditën e 28 të muajve, Xhaferi edhe më herët kishte pasë emërime në pozita të ndryshme, ai në 28 prill ishte bërë anëtarë i UÇK-së kur ishte lufta në Kosovë, më 28 prill të vitit 2017 ai ishte emëruar kryetari i Kuvendit, e po ashtu sot më 28 janar ai do të emërohet si kryeministër

“Sot data 28 janar konsiderohet si historike tanimë jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe në rrafshin historik për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Për vet faktin se pas Malit të Zi edhe Maqedonia e Veriut i shtohet pozicioni i kryeministrit që e mban një shqiptar me etni, një personalitet që ka ardhur nga fusha e aspektit ushtarak, por edhe kontributit për këtë Maqedoni të Veriut”.

“Konsideroj se data 28 janar ka një rëndësi të madhe për vet Talat Xhaferin për shkak se kjo datë për profilin e tij shënon shumë ngjarje, e para më 28 prill të luftës së UÇK-së ky anëtarësohet, me 28 prill 2017 e pranon detyrën e kryeparlamentarit, dhe me 28 janar një datë historike me shumë rëndësi”.

“Ky personalitet ka një të kaluar të rëndësishme për shkak se ishte komandant i UÇK-së dhe vihet si kryeministër në Maqedoni të Veriut. Kjo do të thotë dhe shënon një fitore të madhe e vet konceptit të shqiptarëve për të marrë të drejtat që të jenë të barabarta”, ka thënë Hyzeraj. /Klankosova.tv

10:18 – Xhaferi kryeministër, Rushiti: Kjo duhet ta thyejë mitin që maqedonasit kanë shumicën (VIDEO)

Ish-gazetari dhe profesori universitar, Fatos Rushiti, ka thënë se vendosja e politikanit shqiptar Talat Xhaferi në krye të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, është një moment i favorshëm për shqiptarët për ta kapitalizuar vetën.

I ftuar në studio të Klan Kosovës, ai ka thënë se kjo duhet ta thyejë mitin që maqedonasit e kanë shumicën për qeverinë.

“Shqiptarët janë në një moment shumë të favorshëm për të kapitalizuar vetën si qenie njerëzore. Ndoshta edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve, mendoj se partitë politike opozitare duhet të barazojnë sepse nuk jemi pak”, është shprehur Rushiti.

“Ky post duhet ta thyejë atë mitin që maqedonasit e kanë mazhorancën”, ka shtuar analisti politik Fatos Rushiti.

09:59 – Tetova e qetë në ditën kur zgjidhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoni të Veriut (VIDEO)

Talat Xhaferi sot do të bëhet kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.

Për këtë ceremoni janë bërë një mori përgatitjesh, por Klan Kosova është duke qëndruar sot në Maqedoni të Veriut.

Gazetari Drin Demiri qëndron në Tetovë prej ku tha se është duke mbretëruar një atmosferë e qetë.

Ndër tjera ai tha se qytetarët e asaj zone dëshirojnë që të ketë një Maqedoni të Veriut më të zhvilluar. /Klankosova.tv

09:51 – Kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut e mban në shtëpi shqiponjën dy krenare (VIDEO)

Talat Xhaferi, kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut, në dhomën e tij të ndejës mban një skulpturë me duart duke e bërë “Shqiponjën dy krenare”.

Ai për Klan Kosova ka bërë të ditur se e ka dhuratë nga Tirana e Shqipërisë.

“Këtë e kam marrë në Tiranë në kuadër të njërit prej evenimenteve që organizohet nga odat ekonomike shqiptare, ku aty e mora nga kryetari i Odës së Shqipërisë si çmim”, ka thënë Xhaferi. /Klankosova.tv

09:41 – Talat Xhaferi tregon si u vendosi fëmijëve emra shqip kur ishte e ndaluar në Maqedoni

Politikani Talat Xhaferi sot pritet të bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Ekipi i Klan Kosovës në krye me gazetarin Adriatik Kelmendi ka shkuar në shtëpinë e Xhafërit për ta intervistuar para se të shkojë në Kuvend për ta bërë betimin.

Gjatë intervistës, ai ka treguar për kohërat e vështira kur shteti Maqedonas ka qenë diskriminues ndaj shqiptarëve atje.

Madje, ekskluzivisht për Klan Kosovën ai ka rrëfyer se si dy fëmijëve të tij u ka lënë emra shqip.

“Unë kam dy fëmijë, djalin dhe vajzën. Djali ka lindur në Leskoc, vajza në Gostivar. Edhe këtu dhe atje ishte çështja e ndalesës së emrave shqip dhe ajo përvojë nuk është vetëm e imja, por në përgjithësi. Edhe këtu dhe atje ishte lista paraprake e emrave që lejohej të përdoreshin nga shërbimet civile. Prej asaj liste duheshe me zgjedh një emër”, ka treguar Xhaferi.

“Unë e them emrin e djalit Barlet, merr ta shkruajë, dhe unë i them pa J”, ka shtuar ai.

Kur është pyetur se çfarë kuptimi ka ky emër, Talat Xhaferi i ka thënë se është një emër internacional, duke mos i treguar që korrespodon me emrin e Marin Barletit.

“Vajza mban emrin Besiana, motivimi ime ashti që e kalonim rrugën Besiana dhe nga aty ishte frymëzimi”.

Tutje, ai ka shtuar se në atë kohë ka pasur pengesa të theksuara dhe tani më nuk ka pengesa të tilla.

09:39 – Xhaferi: Udhëtoj çdo ditë nga Forina e Gostivarit për në Shkup, ngrohtësia e të qenurit pranë familjes është prioritet

Talat Xhaferi, kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut, çdo ditë udhëton nga fshati i tij Forinë i Gostivarit për në Shkup.

Ai ndonëse ishte edhe kryetar i Kuvendit maqedonas nuk e kishte lënë vendlindjen e tij për të jetuar në kryeqytet.

Xhaferi për Klan Kosova ka treguar për herë të parë për të gjithë shqiptarët se përse e bënë këtë gjë.

“Është çështje nostalgjie sepse unë qysh në moshë të hershme kam dalë nga shtëpia që nga mosha 16-vjeçare. Kam kryer akademi ushtarake që kanë qenë të stacionuara në Beograd në atë kohë dhe deri 1991 deri në moshën 30-vjeçare kam jetuar jashtë Maqedonisë së Veriu dhe jashtë familjes”.

“Pas kthimit ishte edhe një përvojë që theksonte se ngrohtësia dhe të qenurit pranë familjes është prioritet që duhet të sigurohet, dhe për atë arsye kam vendosur se gjithnjë e kudo që të jem në mbrëmje të përfundoj tek familja. Unë për dhjetë vite kam udhëtuar çdo ditë nga shtëpia për punë në Tetovë, e po ashtu tani edhe për Shkup”, ka thënë Xhaferi. /Klankosova.tv

09:25 – Xhaferi: Zgjedhja ime si kryeministër i Maqedonisë së Veriut është një realitet që ndodh në kohën e duhur (VIDEO)

Talat Xhaferi, kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut, ka thënë se emërimi i tij në këtë pozitë është bërë në kohën e duhur.

Ai sot bëhet shqiptari i parë që është në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ndonëse do të jetë qeveri teknike me mandat 100 ditësh.

Xhaferi për Klan Kosovën ka deklaruar se më herët ka qenë një tabu të flitet që shqiptarët të jenë në krye të institucioneve, sipas tij, tani kjo është një realitet.

“Mendoj se është në kohë dhe nuk është e vonuar, për faktin që aspektet procedurale dhe formale i përcakton Ligji për Qeverinë. Që përcakton se 100 ditë para mbajtjes së zgjedhejve duhet të ketë qeveri teknike, e cila ka për prioritet organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve, dhe jo vetëm aspektet e kompetencave qeveritare dhe të funksionimit të institucioneve. Besoj se është në kohën e duhur dhe në momentin e duhur”,

“Kontekstet kohoret në konktekst politik mund të themi se janë edhe të vonuara, por edhe në kohë. Për aspektet politik dhe shoqërore, aspekti kohë nuk ngërthen me orë me ditë, është çështje e proceseve që vijojnë dhe paraprijnë dhe që pasojnë, kështu që është çështje e politikbërjes që planifikimet bëhen afatshkurta dhe afatgjata, mendoj se është në kohën e duhur konform rrethanave. Por nëse e shohim në kontekst të ngushtë mund të thuhet se është e vonuar, nëse dikur ka qenë tabu, tani është realitet që ndodh i ri dhe është koha e duhur mendoj”, ka thënë Xhaferi. /Klankosova.tv

09:13 – Klan Kosova në shtëpinë e Talat Xhaferit, ky i fundit i prezanton familjarët (VIDEO)

Politikani shqiptar Talat Xhaferi sot pritet të bëhet kryeministër i një qeverie teknike në Maqedoninë e Veriut. Kjo është historike sepse për herë të parë në historinë e këtij shteti, një shqiptar vjen në krye të qeverisë.

E pikërisht në këtë ditë të veçantë, ekipi i Klan Kosovës në krye me Adriatik Kelmendin kanë shkuar në shtëpinë e Xhaferit për ta intervistuar.

Fillimisht ai ka prezantuar nipin Frashërin dhe mbesën Ajola.

Pastaj ai ka prezantuar edhe gruan e tij, për të cilën ka thënë se ajo i ka ofruar mbështetje gjatë rrugëtimit të tij politik, së bashku me dy fëmijët e tij.

08:56 – Klan Kosova nga fshati i Talat Xhaferit do të niset drejt Kuvendit (VIDEO)

Gazetari Adriatik Kelmendi ka bërë të ditur se së bashku me ekipë është duke qëndruar në Forinë, fshat ky ku jeton Talat Xhaferi, i cili sot pritet të bëhet kryeministër i një qeverie teknike në Maqedoninë e Veriut.

Në një lidhje direkte në Klan Kosova ai ka treguar se do të niset nga shtëpia e kryeministrit në ardhje, drejt sallës së Kuvendit ku pritet që Xhaferi ta bëjë edhe betimin.

08:34 – Gjithçka gati për zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoni të Veriut (VIDEO)

Në Maqedoni të Veriut, gjithçka është gati që Talat Xhaferi të zgjedhet si kryeminister i parë shqiptar.

Lëvizjet nëpër qytet këtë mëngjes janë të pakta, ndërsa lëvizje më të shumta ka brenda objektit paralamentar të Maqedonisë së Veriut, bën të ditur gazetarja Qëndresa Tërshani.

Betimi i Xhaferit pritet të bëhet në ora 11, pastaj pjesa tjetër do t’i kushtohet debateve, raporton Klankosova.tv.

Xhaferi do të ketë një mandat prej 100 ditësh, ai i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e 8 majit.

BDI, partia shqiptare në koalicionin qeverisës, ka propozuar emrat e 5 ministrave dhe 3 zëvendësministrave për qeverinë teknike.

Në sallën e Kuvendit do të jetë e pranishme edhe partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE, po ajo paralajmëroi se nuk do të votojë për Qeverinë teknike.

Kjo është ditë historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pasi për herë të parë qeveria do ketë një kryeministër shqiptar.

08:21 – Klan Kosova me mbulim special për zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoni të Veriut (VIDEO)

Klan Kosova ka nisur transmetim special për zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Të gjitha të rejat rreth kësaj ngjarjeje do të keni mundësinë që t’i ndiqni në kohë reale në Klan Kosova.

Edhe ekipet e gazetarëve, kameramanëve që ndodhen në Maqedoni të Veriut do t’i sjellin për shikuesit e Klan Kosovës të gjitha informacionet nga Shkupi.

Mbulimi special ne Klan Kosova
Foto nga transmetimi special i Klan Kosovës për zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoni të Veriut
Qëndroni me Klan Kosova dhe Klankosova.tv.

07:53 – Sot zgjedhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoni të Veriut (VIDEO)

Në Maqedoni të Veriut sot do të zgjedhet kryeministri i parë shqiptar.

Ai do të jetë Talat Xhaferi, i cili do të ketë një mandat prej 100 ditësh.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut do të mblidhet në seancë për të debatuar mbi programin dhe kabinetin e Xhaferit, ndërsa deri në mesnate pritet të votohet dhe miratohet qeveria teknike, raporton RTSH, transmeton Klankosova.tv.

Xhaferi i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e 8 majit.

BDI, partia shqiptare në koalicionin qeverisës, ka propozuar emrat e 5 ministrave dhe 3 zëvendësministrave për qeverinë teknike.

Në sallën e Kuvendit do të jetë e pranishme edhe partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE, po ajo paralajmëroi se nuk do të votojë për Qeverinë teknike.

Kjo është ditë historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pasi për herë të parë qeveria do ketë një kryeministër shqiptar.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

Similar Posts