Vëmendje! Stuhi të forta dhe përmbytje, nga mesjava edhe ulje e temperaturave. Ja çfarë pritet të ndodh

author
1 minute, 58 seconds Read

Stuhi mjaft të forta karakterizuan të dielën në disa pjesë të Kosovës, kjo erdhi pas vapës ekstreme ku temperaturat arriten deri në 37°C gjatë së shtunës.Gjatë kësaj jave vendi ynë do të karakterizohet nga masa paksa më të freskëta dhe të lagështa, të cilat në kombinim me ajrin e nxehtë, do të sjellin kohë pas kohe stuhi të forta lokale, e njëkohësisht edhe temperaturat do të pësojnë ulje. Fillimisht maksimalet do të sillen rreth apo pak mbi vlerat 30°C, ndërsa gjatë javës, konkretisht të enjten dhe të premten, pritet të ulen rreth vlerave 25°C.

Megjithatë, përkundër vlerave maksimale të larta, gjatë kohës me stuhi apo me të reshura, ato pritet të ulen me të pakten 10°C, varësisht nga zhvillimet e stuhive.

Pra, ditët kryesisht do të nisin kryesisht me diell, ndërsa orëve të pasditës dhe mbrëmjes, priten kohë pas kohe rrebeshe lokale shiu e breshër, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh, disa prej tyre të ashpërta, e në momente të caktuara edhe erëra mjaft të fuqishme, me shpejtësi deri në 80 km/h apo edhe më shumë.

Si pasojë e reshjeve intensive në zona të caktuara, parashihet të ketë edhe përmbytje.

Pluhuri saharian do të vazhdojë të jetë prezent deri të premten, kur edhe do të tërhiqet, me ç’rast deri atëherë reshjet do të jenë të përziera me baltë.

Të hënën dhe të martën stuhitë do të jenë konvektive, edhe pse të martën do të jenë më të kufizuara dhe të izoluara (të pakta), ndërsa të mërkurën parashihet të pasohen nga një sistem frontal. Meqënëse saktësia dhe lëvizja e stuhive është më e vështirë, atëherë na duhen përditësimet e fundit prej 24 deri në 48 orët e ardhshme, për të cilat do të informoheni me kohë.

Reshjet dhe stuhitë parashihen të jenë të pranishme deri të premten, ndërsa në fundjavë ka tendenca për përmirësim afatshkurtër të motit dhe ngritje e temperaturave.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 15 deri 18°C, ndërsa ato maksimale prej 25 deri në 34°C. Vlerat më të larta do të jenë në ditët e para të javës dhe në fundjavë.

Similar Posts