Largimi i avokatëve të Thaçit e Selimit, analisti tregon pse po ndodhë kjo gjë: Ata e kanë kuptuar që…

author
6 minutes, 13 seconds Read

Largimi i avokatëve të Thaçit e Selimit, analisti tregon pse po ndodhë kjo gjë: Ata e kanë kuptuar që…Pasi ditë më parë nga ekipi mbrojtjes së Hashim Thaçi u largua avokati Gregory Keohe dhe ekipit të tij mbrojtës, të njëjtin fat e ka përjetuar edhe Rexhep Selimit, të cilit i është larguar njëri ndër avokatët kryesor, David Young.

Kjo është bërë e ditur nga Gjykata Speciale këto ditë, kurse nga ana e Selimit, thanë se kjo ndodhi për shkak të problemeve shëndetësore të avokatit Young.

Por dyshime për largimin e avokatëve të të akuzuarve të Gjykatës Speciale po hedh analisti Gani Qarri.

“Të akuzuarit të cilët po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale në Hagë, përveç akuzave të rënda që rëndojnë mbi ta, kohëve të fundit, po ngelen edhe pa pjesëtarët kryesor të ekipeve mbrojtëse, për shkak të largimit të befasishëm dhe të papritur të tyre. Përveç largimit të avokatit kryesor të Hashim Thaçit, Gregory Keohe dhe ekipit të tij mbrojtës, me të njëjtin problem, së fundi po përballet edhe Rexhep Selimi, i cili bazuar në njoftimin nga Dhomat e Specializuara në Hagë, edhe ai do të mbetet pa njërin ndër mbrojtësit e tij kryesor, avokatin David Young. Tërheqja e Gregory Kehoe dhe ekipit të tij nga kompania “Greenberg Legal Associates”, nga mbrojtja e Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale, krijon dyshime gjithandej, jo vetëm në opinionin publik por edhe te ekspertët ligjor dhe specialistët juridik, se diçka tejet e madhe është në lojë, të cilën avokatët me renome, si Gregory Kehoe dhe ekipi i tij, nuk po mund ta kapërdijnë”, shprehet Qarri për “Bota sot”.

Ai thotë se është befasuese largimi i avokatëve pikërisht në momentin që tani po dëgjohen dëshmitarët e Prokurorisë.

“Lidhur me dorëheqjen e avokatit Kehoe, jepen arsyetime të ndryshme, por vet fakti se po ky avokat, ka qenë për më shumë se dy vite udhëheqës i ekipit të mbrojtjes juridike të Thaçit, i cili papritmas u largua bashkë me të gjithë anëtarët e grupit mbrojtës pikërisht në momentet kur po zhvillohet dëgjimi i dëshmitarëve të Prokurorisë Speciale, përveçse shkakton dyshime të thella, përcillet edhe me pasoja negative juridike në mbrojtjen e Thaçit. Dorëheqja e avokatit të specializuar me përvojë të gjatë dhe profesionalisht të dëshmuar Gregory Kehoe, si dhe gjithë ekipit mbështetës, dobëson tej mase fuqinë mbrojtëse, të Thaçi në Hagë, kur dihet se ai nuk akuzohet për akte të lehta, por vazhdon të gjykohet, për akuza tejet të rënda, si ato për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat, nëse gjatë gjykimit, vërtetohen, edhe dënimet mund të jenë tejet të rënda dhe me kohëzgjatje prej shumë vitesh”, shton Qarri.

Sipas tij, largimi i avokatëve nuk po ndodhë për shkak të mos pagesës apo problemeve shëndetësore, por aty fshihet diçka tjetër.

“Në anën tjetër pas largimit të avokatëve të Thaçit, Gregory Kehoe dhe Joe Reeder, Ministria e Drejtësisë në një njoftim për media ka potencuar se për ekipin mbrojtës të Thaçit janë paguar mbi tre milionë e gjysmë euro në përputhje me legjislacionin në fuqi për avokatë me të cilët MD ka marrëveshje, kurse pagesat janë realizuar për vitet 2020, 2021, 2022 dhe 2023, nga buxheti i ministrisë, andaj largimi i avokatit kryesor bashkë me ekipin e tij mbrojtës, duket se ka arsye shumë më të thella se sa pretendimet për “mos”-pagesë. Përveç Gregory Kehoe, njëkohësisht me te, u larguan edhe Joe Reeder, Greenbuerg dhe mbar ekipi i Legal Associates, andaj kur largohet i gjithë grupi i anëtarëve të ekipit mbështetës, kjo flet shumë më tepër, se sa, gjoja bëhet fjalë, vetëm për shkaqe të mos-përmbushjes së obligimeve financiare”, thekson Qarri.

Siç thotë Qarri, largimi mund të ketë ardhur si pasojë e rrëfimeve të dëshmitarëve, të cilët gjithnjë sipas Qarrit, kanë dhënë argumente të forta kundër Thaçit e Selimit.

“Largimi i avokateve te Thaçit, mund të jetë edhe pasojë e rrëfimeve të argumentuara autentike të dëshmitarëve, të cilat mund të kenë qenë aq rënduese, edhe për ekipin mbrojtës në krye me Gregori Kehoe sa që, ta humbin edhe rastin, në përballje me faktet e paraqitura me argumente bindëse nga dëshmitarët dhe prokuroria në Gjykatën Speciale. Andaj si avokat i mirënjohur dhe ekip me renome, nuk duan të ndahen të turpëruar, duke humbur rastin, para një Gjykate të specializuar, si Gjykata Speciale në Hagë, për një person të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si Thaçi & Co, i cili për avokatin Kehoe dhe ekipin e tij, është vetëm një klient i radhës, si gjithë të pandehurit deritanishëm”.

“Se dëshmitarët mund të kenë deponuar fakte shumë të forta dhe tepër bindëse, dëshmon edhe largimi i papritur i avokatit kryesor të Rexhep Selimit, akte këto të cilat bëjnë me dije dhe paralajmërojnë mbarë opinionin në Kosovë e më gjerë, se këta njerëz vërtetë mund të jenë të zhytur në veprime tejet të rënda, të panjohura për publikun, kundër të cilëve, edhe dënimet mund të jenë drakonike, ndaj dhe avokatët mbrojtës, nuk dëshirojnë që emrat e tyre, të figurojnë në përfundim të gjykimeve të humbura, si mbrojtës të dështuar, të personave të penalizuar me dëshmi të vërtetuara, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, shton analisti Qarri.

Për fund, Qarri thotë se Thaçi dhe të tjerët do të dështojnë të dalin të pastër nga Gjykata Speciale.

“Kështu që ekipi aktual mbrojtës, duke nuhatur se përkundër përkushtimit maksimal dhe mbrojtjes dinjitoze ligjore, në fund të procesit, nuk do të arrij të dëshmohet pastërtia e klientëve të tyre, për veprimet e kryera, veçanërisht, në vitet e para- të pas luftës, kur të akuzuarit e sotëm, udhëhiqnin parti politike, polici të dyshimta dhe qeveri të ashtuquajtura “nën hije”, të cilat ishin specialitet i partisë së Thaçit & Co, kohë kur edhe janë vrarë qindra shqiptar, por sot e atëherë nuk dihen nxitësit, motivet e vërteta të vrasjeve dhe as autorët e tyre, sikur ti ketë lëshuar toka, kanë vendosur të tërhiqen nga mbrojtja, që të paktën, të mos njollosin autoritetin e vet personal e kolektiv dhe bartin pjesë të fajësisë morale, për vrasjet e përgjakshme, në Kosovën e pasluftës, tash e gati një çerek shekulli, ende të pazbardhura, e të cilat Gjykata Speciale si institucioni i fundit, shpresohet ti sqarojë”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.

Similar Posts