Hiqet dorë nga zgjedhjet e parakohshme

author
4 minutes, 22 seconds Read

Hiqet dorë nga zgjedhjet e parakohshme

Ka dështuar iniciativa e PDK-së për ta shpërndarë Kuvendin dhe për ta dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme, më së largu në fillim të korrikut. Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka thënë se këtë shans e humbën partitë opozitare, LDK e AAK, të cilat nuk i ofruan votat e tyre pro shpërndarjes. Mosunifikimin e opozitës, në Vetëvendosje e përkthyen si konfirmim të mirëqeverisjes

Përpjekja e Partisë Demokratike (PDK) për ta shpërndarë Kuvendin dhe për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme ka marrë fund të mërkurën.

Në një konferencë për media, Memli Krasniqi, lider i partisë më të madhe opozitare, kumtoi se meqë Lidhja Demokratike (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk i vunë në dispozicion votat e tyre, mundësia për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme më së largu në fillim të korrikut, është ezauruar.

“Sot, më 29 maj, ashtu siç e kam cekur si afat në letrën e dërguar tre liderëve politikë, të partive parlamentare shqiptare, duke ndier keqardhje për shtetin dhe qytetarët, ju njoftoj se mundësia për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës tashmë është ezauruar”, ka thënë Krasniqi.
Ai është shprehur i habitur nga mosgatishmëria e LDK-së e AAK-së për të shkuar në zgjedhje dhe ironizoi me atë që e çuajti “shans i humbur”.

“Refuzimi për të shkuar në zgjedhje të hershme për mua vërtet mbetet befasues. Nuk dëshiroj të spekuloj se a janë të papërgatitura partitë e tjera opozitare, a kanë nevojë për kohë më shumë. Por, një gjë e di: nuk më kujtohet një rast tjetër në historinë e demokracisë parlamentare ku Qeveria thotë ‘ejani të shkojmë në zgjedhje, jam e gatshme’ e opozita thotë ‘jo, vazhdoje mandatin deri në fund’”, është shprehur Krasniqi.

Deklaratës së kryetarit të PDK-së i ka reaguar zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa. Sipas tij, Krasniqi duhet të kërkojë llogari nga Kurti e jo nga opozita.

“Krasniqi ka bërë marrëveshje me Kurtin, jo me LDK-në, prandaj i pakuptimtë roli i tij si ndërmjetësues. Le të kërkojë përgjegjësi tek ideatori i vërtetë i shpërndarjes dhe te marrëveshja që ka bërë me të”, ka thënë ai për KOHËN.

Ndaj mungesës së unifikimit ndëropozitar reaguan edhe zyrtarë të LVV-së.

Zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka, ka thënë se opozita e konfirmoi se është e kënaqur me Qeverinë Kurti.

“Qysh prej 100-ditëshit të parë të Qeverisë kishin kërkuar e paralajmëruar zgjedhje. Thanë se nuk janë të kënaqur me qeverisjen dhe se ishin edhe ata të dëshpëruar me neve. Por, siç duket, 1.000 ditët që pasuan në qeverisje ia ndryshuan mendjen opozitës. Ata sot e konfirmuan që janë të kënaqur me Albin Kurtin kryeministër”, ka thënë Manxhuka.

PDK-ja së bashku me koalicionin qeverisës kanë 82 deputetë të mjaftueshëm për ta shpërndarë Kuvendin, por kryeparlamentari Glauk Konjufca ka theksuar se marrëveshja për të shkuar në zgjedhje të reja nuk u takon vetëm këtyre grupeve parlamentare porse duhet të ketë përfshirje më të madhe të opozitës.

“Vullneti ka qenë qysh para disa muajsh, dhe mazhoranca gjithmonë e ka shpjeguar gatishmërinë dhe e ka shprehur që kjo të ndodhë dhe pikërisht për këtë arsye edhe subjekti më i madh opozitar, PDK-ja, me numrin më të madh në opozitë është pajtuar. Të gjithë në të njëjtën kohë e kemi kuptuar se kjo nuk duhet të jetë marrëveshje mes dy partive politike, por duhet të jetë një përfshirje më e gjerë”, ka thënë Konjufca.
Ashtu sikurse LDK-ja, edhe partia e Haradinajt refuzoi t’i japë votat pro shpërndarjes së Kuvendit, pasi insistonte në shkarkimin ose dorëheqjen e qeverisë Kurti.

Në konferencën për media, lideri i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur edhe për mundësinë e diskutimit në takimin me kryeministrin Kurti për ndonjë koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje. Ai tha se vetëm tema e zgjedhjeve të parakohshme përmes shpërndarjes së Kuvendit ka qenë ajo që e ka dominuar debatin. Sipas tij, me takime dyorëshe nuk mund të tejkalohen dallimet dy dekadëshe mes tyre.

“Sa i përket spekulimeve, unë kam qenë edhe i zbavitur këto ditë nga mënyra e interpretimeve të jashtëzakonshme imagjinare të kujtdoqoftë sa i përket mundësisë së koalicionit ndërmjet nesh e vetëvendosjes, të arritur për dy orë takim. Nuk mundemi me 2 orë takim me tejkalua hendekun e gati dy dekadave”, ka thënë ai. “Agjenda e PDK-së ka qenë zgjedhjet e parakohshme. Ne kemi shkuar me këtë dhe kjo është agjenda që e ka dominuar debatin. Asgjë, as të fshehtë e as të panjohur s’ka pasë në këtë takim… Nuk janë temë as afërsisht koalicionet”, ka thënë ai.

Similar Posts