Flet babai i dy fëmijëve të infektuar me Covid-19 në Miradi të Fushë Kosovës

Dy anëtarët e një familje nga Miradia e Komunës së Fushë Kosovës kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Njëri nga anëtarët e kësaj familje ka folur në një lidhje telefonike në Edicionin Special në Klan Kosova për gjendjen shëndetësore të anëtarëve të familjes.

“Në bazë të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, dy djemtë e mi dhe motra kanë dalë me koronavirus. Unë dhe bashkëshortja ime kemi dalë negativ”.

“Unë e kam një motër të martuar në Prishtinë. Së pari është infektuar burri, pastaj edhe motra”.

I njëtji ka shprehur habinë se si djemtë e tij dolën pozitivë pa pasur kontakt me të infektuarit.

“Para dy javëve kam qenë në vizitë tek motra. Unë kam dalë negativ. derisa djemtë pozitivë. Djemtë nuk kanë pasur kontakt me ta”.

Ai tha se fëmijet e tij nuk kanë simptoma të theksuara.

“Ata janë në shtëpi dhe nuk po vërejnë ndonjë simptomë. Janë të moshës 26 vjeçare. Na kanë dhënë këshilla të përgjithshme për higjienën. Normalisht sepse jemi izoluar, fëmijet po i mbajmë në dhoma të ndara”.